bukur ose hiç

shkrime

Në gjueti të drerit të egër – Woody Allen

06.07.2017 | h. 10:07

Kjo është megjithmend e pabesueshme. Njëherë vrava një dre të egër. Shkoja për gjah, sipër, në kufi me Kanadanë. Atje ka shumë drera të egër. E lidha, e futa në baulen e makinës dhe po kthehesha gjithë qejf në New York.

Kujtoja se e kisha vrarë, por në fakt plumbi e kishte kapur shkarazi. Isha akoma në autostradë, afër New Yorkut, kur dreri i egër përmendet. Ku të veja…?! Unë me një dre të egër e të gjallë në makinë! Në shtetin e New Yorkut është e ndaluar rreptësishtë të udhëtosh me një dre të egër të gjallë në makinë ditët e marta, të enjteve dhe të shtunave.

Një miku im, atë mbrëmje, organizonte një festë me kostume dhe maska, diku në periferi të qytetit.

U tha u bë! Vendos të shkoj në festë. I bie ziles dhe derën e hap miku im. “Mora dhe gruan me vete” i them të zotit të shtëpisë dhe i tregoj drerin e egër. Ai na prezanton me gjithë të ftuarit e tjerë. Dreri u miqësua menjëherë me të ftuarit e tjerë me kostume e maska dhe kjo me qetësoi disi.

Në mesnatë filloi dhënia e çmimeve për kostumin me maskë më të bukur. Bashkëshortët Berkowitz, të veshur të dy si drerë të egër, fituan çmimin e parë. Aty ndodhi ajo që nuk doja të ndodhte. Drerit tim iu duk e padrejtë ndarja e çmimeve dhe filloi të godiste me brirë bashkëshortët Berkowitz. Godit ky, e godit ata… një përleshje e vërtetë në sallonin e vilës.
Mbërthej drerin, e nxjerr përjashta, e lidh dhe e fus prapë në baulen e makinës. Vendos të drejtohem drejt pyllit për ta lënë atje përfundimisht. Tersi, nuk ka për të m’u ndarë këtë fundjavë… nuk kisha larguar nga festa drerin tim, por burrin e çiftit Berkowitz. Të udhëtosh me një hebre të lidhur në makinë në shtetin e New Yorkut është rreptësishtë e ndaluar me ligj, sidomos ditët e marta, të enjteve dhe të shtunave. E lë në pyll dhe largohem. Fati i tij i zi! Kishte kaluar një gjahtar pak më vonë dhe e kishte vrarë.

Tani trupi i tij i balsamosur ndodhet në klubin e gjahut të një lagjeje perëndimore të New Yorkut.
Ironia e fatit… është i vetmi klub gjahu i New Yorkut ku nuk lejohet hyrja e hebrejve!