bukur ose hiç

shkrime

Mot’i ri – Mit’hat Frashëri

07.07.2017 | h. 08:51

Ikë, ikë. Qofsh’ i nëmur ti që vjen të më urosh motin e ri.
Një mot akoma! Edhe me qeshje në buzë, me urime vjen të më thuash se m’u pakësua një mot, më sthua për shumë vjet.
Dymbëdhjetë hëna! Si dje më duket ay që shkoi, pastaj dhe ay më parë, edhe tjatri akoma.
Lumi që rrjedh lëshon zallin, delja që shkon lë gjurmën, flaka që digjet lë hinë. Po ti, o kohë, ç’na le? A po këtë hi mi kokët tënë?
Qysh pra, gjithë vuajtjet e mëmës sime, gjithë shpresat e saja, shpresat e mija, vuajtjet e mija, gjithë këto kështu do të shuhen?
Vargu i vdekjes po mbushet, kur imi çdo mot po afron me të këputur. Edhe s’munt ta ndaloj këtë lumë, s’munt ta mbaj këtë jetë!
Edhe ti me ironi, me qeshje në buzë, vjen të më urosh. Ikë, ikë këtej, se s’dua urime unë, jam për rëkim.