bukur ose hiç

shkrime

Kryetar Alizot – Edison Ypi

11.07.2017 | h. 08:26

Kam tre kandidatura për Kryetar të Partisë Demokratike.
Kandidatura ime e parë për Kryetar të Partisë Demokratike është një Burrë Shteti madhështor nga më të fuqishmit që ka parë historia e Shqipërisë. Është ai që bëri të gjitha shkollat në Shqipëri, Turqi, Greqi, Rumani. I kreu të gjitha përvojat qeverisëse perandorake, nga nëpunës province, deri tek më të lartat ministër e deputet, në një shtrirje gjeografike marramendëse nga Siria në Libi; Shqipëri, Kosovë, Turqi, disa vende të Lindjes së Mesme, praktikisht në të tërë shtrirjen e perandorisë osmane. Figurë e shquar shqiptare me rëndësi të dorës së parë në momentet më kyç të Historisë së vendit të tij gjatë dhe në mes dy luftrave botërore. Politikan i sërës së parë, qeveritar i pashoq, ligjbërës ekselent, diplomat i pakonkurrueshëm, ekonomist i pakrahasueshëm, reformator i lindur, kandidatura ime e parë për Kryetar të Partisë Demokratike është një burri i Shteti protagonist në të gjitha eventeve më të rëndësishme të Shqipërisë prej shpalljes së Pavarësisë nga krema e Kombit deri tek pushtimi i vendit nga halabakët komunistë, atyre që pasojat shkatërrimtare të pushtetit të tyre vrasës i vuajmë ende sot. I mbetur në Histori për një numur kontributesh nga më të rëndësishmet si autoriteti që me iniciativën e tij arriti të kryente një numur veprash madhore; Gjuhën Shqipe të mësohej në shkollat fillore; Rekrutët shqiptarë të mos merreshin për shërbim ushtarak në vise të largëta të perandorisë; Taksat e paguara nga shqiptarët të përdoreshin për nevoja të popullit, e të tjera e të tjera. Po të ishte sot Kryetar i Partisë Demokratike ky vigan, do ti shpartallonte brenda pak ditësh hajdutat që e quajnë veten Shoqëri Civile, do vendoste rend dhe do bënte diplomaci të paqortueshme, do shëronte plagët e demokracisë së keqkuptuar si qef, si livadhisje kaotike. Do ishte vërtet një mrekulli kjo kandidaturë për Kryetar të Partisë Demokratike. Por kjo kandidaturë për Kryetar të Partisë Demokratike ka një problem. Nuk ngjan me asnjë nga modelet e sotme reale dhe imagjinative shqiptare të politikanit dhe shtetarit. Nuk mund të kuptohet, e rrjedhimisht as vlerësohet, nga njerëz të ndikuar sadopak nga socpropaganda dhe socliteratura që shtetarët i ndan sipas klisheve komuniste “me ne” dhe “kundra nesh”, “të mirë” dhe “të këqinj”, “pozitivë” dhe “negativë”, “heronj” dhe “tradhëtarë”. Duke qënë krejtësisht jashtë këtyre klisheve, kjo kandidaturë për Kryetar të Partisë Demokratike është e paperceptueshme nga njerëz që e kanë vuajtur sadopak diktaturën ose janë me mentalitet diktatorial, pra nga shumica e shqiptarëve, që kanë marrë bukë me listë, ushqime me tallon, kanë pritur që në pikë të mëngjezit në rradhë për të marrë një litër qumësht, kanë blerë lavatriçe me autorizim, kanë folur në mbedhjen e kolektivit, kanë uluritur si të çmendur para tribunave të parakalimeve. Madje, kjo kandidaturë për Kryetar të Partisë Demokratike, për fat të keq, është vështirësisht e kuptueshme edhe nga jo pak të rinj të cilët vërtet zgjebja e diktataturës nuk i ka prekur për arësye moshe, por shohin filma shqiptarë dhe lexojnë nëpër gazeta heroizmat e stisura të nomenklaturës. Megjithatë, sado të mëdha, këto vështirësi edhe mund të kapërxehen. Halli është se Fejzi Alizoti, kështu quhet kandidati im i parë për Kryetar të Partisë Demokratike, ka një vështirësi të pakapërxyeshme për tu zgjedhur Kryetar i Partisë Demokratike. Fajzi Alizoti nuk është gjallë. Fejzi Alizotin e vranë komunistat. E vranë me plumb. Jo 1 herë. 2 herë. Meqënëse nga plumbi i parë Fejzi Alizoti nuk dha shpirt, e vranë edhe me një plumb tjetër. Kështu, përtej faktit se shumica e kandidaturave të sotme për Kryetar të Partisë Demokratike janë qindra herë të vdekura në mijëra mënyra, Fejzi Alizoti i vrarë dy herë me plumb, Kryetar i Partisë Demokratike nuk mund të jetë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu!