bukur ose hiç

shkrime

Korbat u fluturofshin sipër varreve – Edison Ypi

14.07.2017 | h. 21:11

Zemra mal të bëhet tek i shikon në këtë fotografi të gjithë bashkë këta diva të katandisjes së medias konservative shqiptare, këta vigana, këta titana, këta heronj, dëshmorë, martirë, therorë, këta zgalema, këta fenera, këta kandila, këta zjarra, këta vullkana, këta që nuk kursyen asgjë për ndriçimin e mendjes dhe të shpirtit të Kombit në kohët më të errëta, më të vështira. Ishin këta që natën e bënë ditë, muzgun ag dhe agun muzg. Ishin këta skllevër të përunjur të idealizmës shqiptare, kombëtare, patriotike, që nuk u vajti kurrë mendja për asnjë përfitim material, këta që lekut i thanë ik se s’të shohim dot me sy, që fitimit i thanë shporru se s’ke punë me ne, pasurimit i thanë sikter se na ndot, nepotizmit i thanë thyej qafën se na degjeneron, meritokracisë i thanë bujrum ta ndërtojmë Shqipërinë së bashku, neveritën rehatinë dhe dhjamosjen mikroborgjeze në të mirë të dinamizmit proletar, këta që nuk e kanë idenë se çfarë janë llogaritë e fshehta bankare, bixhozi me milionat e vjedhura, manovrat lukrative. Duke parë këtë foto monumentale, që s’është foto por kryevepër, dhe duke kqyrur këta njerëz, që s’janë njerëz por mbinjerëz, hutohet dhe s’di ç’të bëjë i mjeri njeri. Ngre sytë nga qielli për këtë Fat që Zoti u fali shqiptarëve, shtrëngon grushtat, dhe derdh lotë. Kur Atdheu përpëlitej dhe e vërteta rënkonte, ishin këta Profetë, këta kollosë, ishte kjo kremë e Kombit që u bëri ballë situatave. Në këtë foto duken si modestë, dikujt madje mund t’i duken edhe si morracakë, por ishin këta ata tigra dhe luana që s’pipëtinë kurrë një fjalë të keqe për tjetrin, kurrë nuk ja gjetën pseudonimet njëri-tjetrit, se për shpifje dhe trillime as që bëhet fjalë, por vetëm ulën kokat, dhe me vetmohim të pashoq e grusht bashkuar si në këtë foto, vetëm me penë e bojë arritën tu bëjnë zap dhe ta shpartallojnë një herë e mirë kurvizmin gjakatar. J’a arritën këtij qëllimi të lartë duke punuar pa u lodhur dhe pa u ndalur në gjurmët e shembujve më të ndritur të Historisë sonë qysh nga mjegullat e kohës e deri në ditët tona. Ishin këta kollosa që nuk u vajti kurrë mendja për korridore të errëta, për kulisa, pjesëmarrje në borde të dyshmita, vila, Benza, Toyota, dallavere të fëlliqura sa s’i rrok mendja. Ishin dhe janë këta, ky grusht idealistësh mëmëdhetarë që me plot të drejtë e mbajnë dhe do ta mbajnë kokën lart si dje dhe sot, si nesër e deri në përjetësi. Hallall u qofshin sakrificat sublime përderisa edhe sot pas më tepër se një çerek shekulli Shqipëria dhe shqiptarët lëngojnë nën thundrën e kurvizmit më shtazarak, nomenklaturizmit më hajdut, sigurimizmit më dinak. Në Xhehenem shkofshin inshallah. Fuçia zifti të nxehtë mbi shpinat e tyre. Korbat u fluturofshin sipër varreve.