bukur ose hiç

shkrime

Vae Victis – Edison Ypi

15.07.2017 | h. 09:52

(Mjerë Humbësi)

Pak para ngordhjes së kurvit qarkulloi nëpër Tiranë një thashethem sikur një gazetar italian, sipas disave Enzo Biagi, e sipas disa të tjerëve Sergio Zavoli, kishte thënë se: “Shqipëria është një mumje që e mbyllur mund të vazhdojë të ekzistojë me mijra vjet. Por nëse do hapet dhe do preket nga ajri i pastër, do bëhet në çast pluhur e hi e do qelbi dynjanë”. Kur “mumja” u hap, shumë shqiptarë ikën. Ah sa gabim që bënë. Mes një mijë vështirësish Shqipëria nisi të mëkëmbet. Sot, nga skëterrë, është plot me shtëpi të reja, vila, autostrada, supermerkate, hotele, restorante, plazhe. Ka nga ata që edhepse i shohin këto nuk i besojnë. Le të mos i besojnë. Ka edhe që nuk besojnë se orizi hahet me shkopinj, por orizin me shkopinj e ha gjysma e Botës. Kostoja e çprangosjes që shqiptarët e sarkofagut paguan ishte e lartë. Por jo aq e lartë sa e thashethemit që profetizoi rrënimin imediat dhe total, dhe as sa e konsideronin ishullarët që thoshin se ky vend nuk bëhet pa u pluguar i gjithi me nja tre milionë ton tritol. Ideja e çmimit të lartë pra mbeti. Por as në ment na shkonte se mund të ndodhte diçka e padëgjuar, çudia e çudirave, që ai çmim të vazhdojë të paguhet më së shumti po prej atyre që vuajtën, prej ish-të pesekutuatve politikë. Mes tjerash, përmes një harakiri propagandistik huazuar nga librat dhe filmat e Diktaturës me heronj të çartun që i vënë zjarrin vetes. Megjithatë, vetdjegia nuk është ndonjë çudi para një tmerri tjetër, krejtësisht të papëfytyrueshëm, që është pritja për tu paguar vuajtja. Të bënin disa ish-të burgosur politikë ndonjë, apo dy, apo tre, apo pesë, apo dhjetë, apo edhe njëzetë gabime të çfardoshme, s’do ishte ndonjë hata, do ishte më se e kuptueshme. Por me pritjen për tu shpërblyer materialisht për vuajtjen, i bënë të gjitha gabimet njëherësh. Nuk paguhet vuajtja. Paguhet talenti, zotësia, dedikimi, vullneti, jo rrallë paguhen edhe paaftësia dhe budallallëku, por nuk paguhen kurrën e kurrës vuajtja, aq më pak vuajtja e aryre për burgosjen e të cilëve dhanë sa mundën ndihmesën e tyre gjithë të tjerët. Ska pretendim më absurd, turp më të madh se të pretendosh të të paguhet vuajtja. Nëse e bën këtë, tregon se je futur në burg me hesap. Tingëllon cinike, por kështu është. Vuajtja nuk është sasi. Vuajtja është cilësi. Vuajtja varet nga ndjeshmëria. Që dikush e ka, dikush tjetër nuk e ka. Nuk ka ndodhur kurrë gjatë Diktaturës, as edhe me 1 shqiptar të vetëm të pretendojë apo shpresojë se pas shembjes së diktaturës do vinte një ditë që për vuajtjen do paguhej. E vetmja kërkesë, e vetmja shpresë, i vetmi qëllim i të persekutuarve politikë ka qënë të bëheshin të lirë. Ata gjithmonë e kanë ditur se i lirë nuk bëhesh duke u bërë i pasur por vetëm duke u bërë i ditur. Të ketë ndodhur ndryshe, është ekuivalente me të kesh mbetur përgjithmonë i burgosur. Shih si i ndjekin ish të burgosurit ata që vijnë në pushtet duke i djegur të gjallë. Me afrime, largime, mënjanime, si me thep-shqekëz. Sa më sipër është shkaku fatal i katandisjes së sotme.