bukur ose hiç

intervista

Intervistë e Woody Allen

14.08.2017 | h. 10:02

Zoti Allen, besoni vërtetë se lumturia në jetë është diçka e pamundur për t’u arritur?

Kjo është perspektiva ime, dhe ka qenë gjithmonë e tillë. Unë kam një pikëpamje shumë të zymtë, pesimiste mbi jetën. Kam qenë përherë kështu që i vogël; nuk është se kjo ndjesi u përforcua me kalimin e moshës, apo si pasojë e ndonjë gjëje tjetër. Unë ndjej se jeta është një përvojë e zymtë, e dhimbshme, plot ankthe dhe e pakuptimtë, dhe se e vetmja mënyrë që ju mund të jeni të lumtur, është t’i tregoni vetes disa gënjeshtra.

 

Shumica e njerëzve s’do të binin dakord me këtë që thoni…

Por unë nuk jam njeriu i parë që e them këtë, dhe as më i dituri. Kjo është deklaruar më herët Niçe, Frojdi dhe të tjerë. Cilido ka nevojë për disa iluzione që të mund të jetojë. Nëse e shihni me ndershmëri dhe në mënyrë të qartë, jeta bëhet e padurueshme, pasi ajo është një sipërmarrje tejet e zymtë.

 

Ngjan e vështirë të imagjinohet që Woody Allen të ketë patur një jetë kaq të vështirë…

Unë kam qenë shumë me fat, që arrita ta përdor talentin tim në funksion të një jete shumë produktive, por në çdo gjë tjetër s’jam aspak i zoti. Nuk përshtatem dot me jetën e përditshme, nuk menaxhoj as gjërat më të thjeshta. Ato që për shumicën e njerëzve janë lojëra fëmijësh, për mua janë një traumë e vërtetë.

 

Mund të më jepni një shembull?

Kontrolli rutinë në aeroport apo prenotimi i një hoteli, marrëdhëniet e mia me njerëzit e tjerë, dalja për një shëtitje, psonisja në një dyqan… Kam punuar me një të njëjtën makinë shkrimi “Olimpia” që kur kam qenë 16-vjeç – dhe ajo duket ende si e re. Të gjithë filmat e mi janë shkruar në atë makinë shkrimi, por deri kohët e fundit nuk isha në gjendje t’a rimbushja me bojë. Ka patur raste, kur jam detyruar të ftoj enkas njerëz për darkë, vetëm që ata ta bënin diçka të tillë në vendin tim. Kjo është një tragjedi.

 

A besoni tek gjërat e mira në jetë?

Jeta është e mbushur plot me momente të bukura – fitimi i një lotarie, parja e një gruaje të bukur, një darkë madhështore – por e gjitha është tragjike. Është një oaz shumë i këndshëm. Merrni filmin e Bergmanit “The Seventh Seal”. Ai përshkruan një tragjedi të madhe, por aty ka një moment kur personazhi kryesor shfaqet i ulur me fëmijët duke pirë qumësht dhe ngrënë luleshtrydhe të egra. Por pastaj ai moment i mrekullueshëm kalon, dhe ju ktheheni tek ajo që është jeta e vërtetë.

 

A jeni po aq pesimist në lidhje me dashurinë?

Ne jemi shumë të ndërvarur nga fati, se sa mendojmë. Njerëzit thonë se nëse duam të kemi një marrëdhënie të mirë, duhet të punojmë për të. Por ju nuk e dëgjoni për gjërat e tjera që pëlqeni, për pasionet tuaja si shëtitja me varkë apo loja e futbollitl. Ju nuk thoni asnjëherë: Unë duhet të punoj mbi të. Ju thjesht e doni atë.
Ju nuk mund të punoni mbi një marrëdhënie; s’mund ta kontrolloni atë. Ju duhet të jeni me fat dhe jetoni jetën tuaj. Nëse ju jeni, duhet të përgatiteni të vuani. Kjo është arsyeja pse shumica e marrëdhënieve janë shumë të vështira, dhe kanë një shkallë dhimbjeje. Njerëzit qëndrojnë së bashku për shkak të inercisë, ata nuk kanë energji. Për shkak se ata janë të frikësuar nga të qenit të vetmuar, ose sepse kanë fëmijë.

 

A qani ndonjëherë?

Unë qaj në kinema gjatë gjithë kohës. Është ndoshta një nga vendet e vetme ku unë qaj ndonjëherë, pasi në përgjithësi kam probleme me të qarën. Tek filmi im “Hannah dhe motrat e saj”, kishte një skenë ku unë supozohej të qaja, dhe provova çdo gjë, por ishte e pamundur, por në kinema qaj. Është si një magji. Të qara më shkakton fundi i filmave si “Hajduti i biçikletës” apo “Dritat e Qytetit”. Është i vetmi vend – kurrë në teatër dhe pothuajse asnjëherë në jetë.

 

Cila është qasja juaj ndaj pleqërisë?

S’ka asnjë avantazh nga të qenit më i moshuar. Ju nuk bëheni më i zgjuar, i mençur apo më i butë. Nuk do të merrni më shumë mirësi, nuk ndodh asgjë e mirë. Shpina ju dhemb më shumë, keni probleme me stomakun dhe daljen jashtë, shikimi nuk është aq i mirë, keni nevojë për një aparat dëgjimi. Nuk ka asgjë romantike tek pleqëria.

 

A do të ndaleni ndonjëherë së realizuari filma?

Unë thjesht kënaqem duke punuar. E ku tjetër mund t’i zhvilloj ambiciet e mia? Artisti përpiqet gjithmonë të mbërrijë një sukses përfundimtar, por duket se nuk e arrin kurrë atë. Ju xhironi një film, dhe rezultati mund të kishte qenë gjithmonë më i mirë. E provoni sërish, dhe dështoni edhe një herë.

Në disa aspekte, kjo më duket diçka e këndshme. Ju nuk e harroni asnjëherë qëllimin tuaj. Unë nuk e bëj punën time për të fituar para, ose për të thyer rekordet e arkëtimeve nëpër kinema, unë thjesht provoj t’i bëj gjërat më mirë. Çfarë do të ndodhte nëse në një pikë do të arrija përsosmërinë? Me çfarë do të merresha?

The Talks