bukur ose hiç

intervista

Mik i vogël i librit

26.08.2017 | h. 09:32

Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj?

S’besoj se mund të quhen “Bibliotekë” garrumbujt e librave në shtëpinë time.

Libri nuk është qëllim, libri është mjet, madje send, që realizon transferimin e ideve nga autori tek lexuesi. Gjithçka që ndodhet mes të dyve; letra, biblioteka, libraria, ceremonia, nuk janë interesante.

Nuk ka “libra të rinj” dhe “libra të vjetër”. Librat nuk kanë kohë, nuk kanë kronologji.

 

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nuk e zgjedh unë librin. Më zgjedh libri mua. Autori, libri, zhanri, vijnë më gjejnë edhe në një arkivol po të jem fshehur. Nuk e di si ndodh. Thjesht ndodh.

 

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Pse do t’i kisha nëse nuk do t’i lexoja ?! Ka derdimenë që librat i mbajnë për t’ua lexuar biblioteka. Unë nuk jam rasti.

Mbaj dhe lexoj edhe libra-këllira. Se llumrat letrarë janë si llixhat, kanë efekt kurativ, të bëjnë për të qeshur, si dhe ta mbajnë gjallë vigjilencën ndaj bërllogjeve letrare.

 

Libri i parë që keni lexuar?

Taras Bulba, është i pari libër serioz që kam lexuar. Isha në klasën e tretë ose të katërt fillore. Mësuesja na dha nga një libër për ta lexuar dhe komentuar. Mua Taras Bulbën. Mbresat mahnitëse të atij libri të hatashëm i kam ende të gjalla. S’besoj se ka sot mësuese filloreje tu japi nxënësve të lexojnë të tillë libra. Në diktaturë koha ishte e kurvit, librat ishin të njerëzve. Në Demokraci koha është e njerëzve, librat janë të kurvit.

 

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë?

Libri nuk është shtëpi ose makinë që të kursesh për ta blerë. Ethja për të lexuar një libër është si padurimi për të bërë seks. Nuk e di nëse femrat e duan librin si mashkull dhe mashkullin si libër. Unë për vete librin e dua si femër, femrën e dua si libër. Të dy bashkë, femra plus libri, janë Parajsa.

 

Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Me asnjë. Librat nuk janë për tu ndarë. Librat janë për tu lexuar. Ndahen dhe shpërndahen idetë e librave. Kam provuar t’i komunikoj emocionet e leximeve. Por pa sukses. Në kohën e kurvit, sapo nisja tu flisja për Rudini-n, më thoshin; “po iki se jam turni i tretë”. Në kohën e klyshave të kurvit, sapo hap gojën tu them ndonjë gjë për Ebu Qerimin, u bie celulari.

 

A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Jo. Bënte pjesë në refuzimin që i bëja gjithçkaje të asaj kohe.

 

Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Kam tentuar, por jam larguar i tmerruar. Bibliotekat e diktaturës ishin plot me spiunë. Tani janë plot me grafomanë që hiqen për shkrimtarë, dhe mitomanë që mbahen për dijetarë.

 

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më?

Marrja mosmarrja, kthimi moskthimi, miku mikesha, me ndërgjegje pa ndërgjegje, janë ojna që nuk kanë lidhje me librat e mirë, leximet e duhura, lexuesit seriozë.

 

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Humbin libra që mbahen nëpër biblioteka. Nuk mund të humbin librat që ruhen brenda kafkës.

 

A lexonit dikur libra të ndaluar?

Po. “I huaji”, “Krim dhe ndëshkim”, “Sonata e Krajcerit”, etj. Qarkullonin dorë më dorë mes miqsh. Që ndonjëri mund të ishte spiun. Por nuk ndaleshim së lexuari libra të tillë. Se qefi i leximit e tejkalonte frikën e spiunimit. Ishin kryesisht anglisht dhe italisht, por edhe përkthime trashanike që vinin nga Kosova.

Ndodhte që, në përputhje me humoret e kurvit, ndonjë libër i lejuar bëhej befas libër i ndaluar. E kundërta nuk ka ndodhur.

Ka pasur dhe libra të ndaluar që i shpërndante sigurimi. Të tillë ishin librat e lavirit të Prishtinës.

Leximi i librave të ndaluar na jepte kënaqësi, por nuk ishte domosdoshmëri. Fan Noli, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Petro Zheji, Afrim Koçi, Lasgushi, Ismail Kadare, dhe të tjerë, përkthyen pothuaj krejt letërsinë klasike. Modernistët jo. Megjithatë, për një milet që hante çdo mbëmje përshesh me kos dhe mbathte dhjetë vjet një palë këpucë, mungesa e autorëve modernistë s’ishte nga vuajtjet më të mëdha, si po thonë disa nga ata që librat i mbajnë nëpër biblioteka t’ua shohin mysafirët. Nëse shtëpia ka themele dhe mure të forta, nuk është ndonjë hata’ pse çatisë i mungojnë disa tjegulla.

 

Dhurimi i librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhni vetë?

Librat nuk dhurohen. Librat blihen. Librat ja dhurojnë njëri-tjetrit snobat, vanitozët, ata që s’kanë haber nga leximet dhe s’duan t’ja dinë për lodhjet e autorëve.

Librat i dhurojnë edhe autorët mediokër. Më të lezeçmit prej tyre janë ca hajvanë që pasi ma lënë librin në dorë më thonë; Ma shaj librin në gazetë. Demek, ma lëvdo, por edhe po ma shave reklamë është. Dhe unë, pasi i falenderoj, “dhuratën” e hedh drejt e në kosh.

 

Cilat janë zakonet tuaja të leximit ? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës?

Zakoni im i leximit është harrimi. Kur lexoj unë harroj, harroj gjithçka, kush e ka shkruar, pse e ka shkruar, a është njeri i mirë apo i keq ai që e ka shkruar, a e ka gruan të bukur, a shkon me kurva, etj.

Për pozicionin duhen pyetur ata që më kanë parë duke lexuar. Që zor ta dinë. Se unë librat i lexoj sipër reve ose në fund të detit.

 

Në cilën gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Jo vetëm unë, çdo njeri lexon në një “gjuhë” të tijën që nuk është asnjëra nga gjuhët e njohura. Falë “gjuhës” së secilit, ndryshe nga filmi të cilin e shohin të gjithë njëlloj, librin e lexojnë të gjithë në mënyra të ndryshme. Gjuhët e ndryshme të secilit janë çimentoja që nuk e lë të shembet dhe e bën të pavdekshme Katedralen e Letërsisë. Falë atyre “gjuhëve” librat nuk shkruhen nga autorët por nga lexuesit. Librat e sotëm i kanë shkruar lexuesit e djeshëm, librat e ardhshëm i shkruajnë lexuesit e tashëm. Autorët, jo humbamenot tanë që e shkojnë jetën nëpër promuovimet e njëri-tjetrit, por autorët e vërtetë, nuk janë normalë. Autorët janë të çmendur. Autorët janë djaj me fantazi të ndezur, mendje të zhdërvjellët, të përvuajtur të vetmuar me vullnet të hekurt që hedhin mbi letër marazet e lexuesve në formë perlash. Djalli gdhend perla. Zoti tëholl bakllava, bën revani, gjëra të ëmbla.

Mardhënia gjuhë-autor-lexues-shkrim-lexim është një marramendje plot me mistere, kyçin e zbërthimit të të cilave para mijëra vitesh një idiot e hodhi në det.

 

Mbani shënime kur lexoni?

Kurrë. Të lexosh “me laps në dorë” dëshmon egoizëm, pafuqi, pandjeshmëri. Leximi lyp altruizëm dhe ndjeshmëri. Pa altruizmin dhe ndjeshmërinë integrale është e pamundur kqyrja e perlave drithëruese shumicën e të cilave djajtë i mbyllin nëpër guacka. Lexo me çfarë të duash në dorë, edhe me lugë, pirua, po deshe edhe me thikë apo dhe me ndonjë gjë tjetër në dorë, por kurrë me laps në dorë.

 

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia?

Nëse poezia është deti me dallgë nën qiellin me diell, hënë, yje e re, dhe proza toka me male, pyje, lumenj, leximi është era që fryn si t’i dojë qefi mbi të dyja dhe mbi të gjitha.

 

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Homeri, Dante, Shekspiri, Kadare, dhe pak të tjerë. Ai që vdes pa i lexuar këta është një fatkeq pa asnjë shpresë për të vajtur në Ferr. Se Ferri është interesant, i gjallë plot jetë. Parajsa është vend i bukur por i mërzitshëm.

 

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Nuk besoj se ekziston. Afër tij janë “Hamleti”, “Pinoku”, “Don Kishoti”.

 

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Komedia Hyjnore, Makbethi, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave.

 

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh.

“Mik i vogël i librit”

Ishte shkruar mbi një distingtiv të kuq që ja varnin në gjoks kalamajve që lexonin këllirat e kurvit. Pra jo “Mik i madh i librit”, por “Mik i vogël i librit”, domethënë armik i librit, ashtu si , fatkeqësisht, sot një numur jo i vogël shqiptarësh, janë.

Shekspiri, Tolstoi, Mark Tueini, Oskar Uajlldi, do donin, por nuk kanë mundur të thonë me vetëm tre fjalë një të tillë llaftari sa makabre dhe qesharake.

 

Na thoni një varg të preferuar poezie.

Tek “Poradeci” i Lasgushit është vargu më drithërues, më magjepsës, më sugjestiv, më i ngjeshur, më uluritës dhe më tronditës i krejt çfarë është shkruar në këtë planet prejkur shkrimi është shpikur;

“Po tani ?”

 

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni?

Edisonit, lexuesit të kuptueshëm më mirë se kritikët letrarë
Kujtim nga autori
Tiranë
21 gusht 1974

Pra jo sot kur mutërit islamikë të shitur duan të mbulojnë femrat, plehrat që në sinkron të plotë me Sigurimin e Shtetit lehin kundër Skënderbeut, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, por më 1974, në mesnatën e diktaturës, kur çdo fjalë ishte një psherëtimë, çdo hije një spiun, ç‘do kërcitje një çizme, çdo zhurmë një prangosje, kur edhe vetëm ta mendoje, se Edison Ypi, ky pinjoll “kolaboracionistësh” dhe “tradhëtarësh” paskësh masë kuptushmërie letrare më të madhe se “kritikët letrarë” që ishin syri vigjilent i sigurimit të shtetit, për këtë duhej një guxim i marrë. Guximin e çmendur për t’i shkruar ato fjalë në faqen 3 të “Dimrit të Vetmisë së Madhe” e pati autori. Ai të cilin kush e shan unë Edison Ypi e pështyj në surrat, e shkel me këmbë, e shtyp si morr.