bukur ose hiç

shkrime

Syt e Zinj – Edison Ypi

20.09.2017 | h. 21:07

Fryma më merret, vështrimi më erret, zemra më rreh, këmbët më dridhen, gjunjët më shkrihen. Lermëni t’ju afrohem o të zinj. Të kqyr disa nga Kryeveprat e Krijuesit; lakimet tronditëse të ballit, harqet drithëruese të hundës, zgavrën e mistershme të syrit, humnerën e frikshme të mjekrës, gjeometrinë rrënqethëse të buzëve, kinematikën e nofullave, ekuacionet e vështrimit, sfericitetin e gjirit, relievin e kokës që ndryn sekretet e Universit, përsosmërinë e papërsosmërisë, kuadratikën e rrethit, gjithçka që bën shkrimtarët të deprimohen, poetët dhe piktorët të vetëgjymtohen, inxhinierët t’i imitojnë këto forma në krahë avionësh, matematikanët të kërrusen mbi numra, genetistët mbi mikroskopa, gjeografët mbi harta, ushtarakët mbi tanke, mbretërit mbi gijotina, diktatorët mbi intriga, politikanët mbi ligje, astrologët mbi yje. O të zinj të zjarrtë; Komplimentet e Dantes Beartiçes janë kurrgjë para atyre që unë mund të thur e them për ju. Sytë e zmadhuar të Kamikazit një çast para se ta hedhi në erë veten nuk e kanë kurrë inkandeshencën tuaj. Drita në sytë e gjeniut të ngjyrave dhe formave që mbaroi zbukurimin e kupolës së Katedrales ndaj dritës tuaj qiellore është errësirë bodrumi. Vështrimi i të humburit në shkretëtirë kur sheh një oaz, ndaj gjallërisë tuaj është një bosh ranor. O të zinj, po të kisha dy jeta do t’u desha më pak. Por kam vetëm një dhe j’u dua pafund. Pa ju o të zinj, unë jam hark pa shigjetë, gëzhojë pa barut, top pa gjilpërë, bibliotekë pa libra, ujë pa det, hidrocentral pa turbinë. Si është më mirë, o të zinj, të ekzistosh si njeri’ me zemër e shpirt dhe të jetosh disa dhjetëra vite, apo mal i pagojë dhe të jetosh miliona a miliarda vite ? Çfarë ndodh n’atë distancën nga i madhi te i vogli, nga gjenerali tek ushtari, nga mbreti tek shtetasi? Çfarë dalin nga ajo zallamahi, heronj apo skllevër ? A është e vërtetë se dhjetë vjet apo dhjetë sekonda para vdekjes, të gjithë çmenden? Historia, është ajo që lexojmë nëpër libra, apo ndonjë tjetër? A vendosen fatet e botës prej mediokërve dhe mediokritetit? A është e vërtetë se qenia në krye e njerëzve vulgarë nuk është gjë tjetër veçse fatalitet darvinian? A e ka kush autoritetin për të vendosur nëse një punë, një lodhje, një mundim, është apo s’është “Art”? Pranimi i diktaturës apo revoltimi ndaj saj, është i lidhur me një përkatësi të caktuar shoqërore, apo ndikohet thjesht dhe vetëm nga ndjeshmëria individuale? A lodh, a sëmur Bukuria? Pse refuzohet, pse njerëzit i bëjnë rezistencë, pse është aq i mundimshëm Progresi? Ku bie ai vendi, ku është ai katundi, ku ndodhet ai midisi, ku malli nuk ikën e vjen, por ndal, dhe zjarri shpërthen, dhe gjaku zjen, dhe bota digjet? Muzeun e dhimbjeve të duruara, ditët e zeza, netët e bardha, të gjitha ua fal juve o sy të zinj.