bukur ose hiç

shkrime

Mashtrim kriminal i Sigurimit – Edison Ypi

25.09.2017 | h. 10:01

Fotografia që po qarkullon si “Momenti kur u kap i pandehuri Zef Pllumi tek një shpellë në qytetzë të Vuklit duke dashur të arratiset në Jugosllavi” është mashtrim propagandistik i Sigurimit. Fotografi të tilla Sigurimi i bënte për tu kallur frikën atyre që këto foto i shihnin nëpër ekspozita apo muzeume të Ministrisë së Brendëshme. Kompozimi i fotos është një djallëzi kriminale ku priftit dhe spiunit Sigurimi u ka këmbyer rolet. “Prift” ka bërë spiunin shtatlartë proletar me rroba doku, ndërsa “spiun” ka bërë priftin shtatulët At Zef Pllumi me veshje borgjeze dhe shpatulla pas shkëmbit duke u qortuar nga prifti-proletar që dominon foton. Nënteksti është i qartë;
Zoti ynë është kurvi. Kisha jonë është partia. Prifti ynë është spiuni. Kapim, fusim në burg, pushkatojmë, varim në litar, bariun tuaj At Zef Pllumi. Merreni me ment sa kollaj e kemi t’ju kapim e t’ju rjepim lëkurën ju të tjerëve, delet e bariut.
Është krejt e pabesueshme që spiuni i pyjores, apo një i ngjajshmi i tij, të kenë pasur aparat fotogafik gati për ta shkrepur kur sapo kapën priftin. Sigurimi dhe pyjorja kanë pasur pushkë dhe pranga, e shumta dylbi, por jo aparat fotografik. Në Vukël është tejet e vështirë të shkohet sot kur rruga për në Vermosh është e asfaltuar. Në atë kohë për të vajtur nga Shkodra në Vukël janë dashur ditë e ditë të tëra. Zor se Prifti heroik mund të jetë nisur pa një kallauz. Historia me punonjës të pyjores që vigjëlojnë kufirin është e stisur. Për të arritur tek kjo foto Sigurimi ka realizuar një skenar. I ka vënë nga pas At Zef Pllumit dikend që i ka premtuar ta shoqërojë për tu arratisur…në atë kurthin e fotos.