bukur ose hiç

shkrime

Si ta shfrytëzosh kohën – Umberto Eco

27.09.2017 | h. 08:28

Kur i telefonoj dentistit për të lënë një orë takimi dhe më thotë se e ka të zënë gjithë javën e ardhshme, unë e besoj. Ai është profesionist i vërtetë. Por, kur dikush më fton në një kongres, në një tryezë të rrumbullaktë, të drejtoj një vepër kolektive, të shkruaj një artikull, të marr pjesë në një juri dhe i them se nuk kam kohë, askush nuk më beson. “Hë, profesor”, më thotë, “një njeri si ju e gjen kohën”. Është e qartë se ne humanistët nuk mbahemi si profesionistë të vërtetë, jemi bjerraditës.

Kam bërë një llogari. I ftoj kolegët e profesioneve analoge ta provojnë dhe ata e të më thonë në kam të drejtë apo jo. Një vit jo i brishtë ka 8760 orë. Tetë orë gjumë, një orë për t’u zgjuar e për të bërë tualetin, gjysëm ore për t’u zhveshur e për të vënë ujin mbi komodinë e jo më shumë se dy orë për vaktet, dhe ja ku shkojmë tek 4170 orët. Dy orë për lëvizjet nëpër qytet, bëjnë 730 orë.

Me tre leksione në javë nga dy orë secili dhe një mbasdite takim me studentët, universiteti më merr gjatë njëzet javëve, ku përmblidhet mësimdhënia, rreth 220 orë mësimdhënie, të cilave u shtohen 24 orë provime, 12 dikutim temash, 78 orë mbledhje dhe pjesëmarrje në këshilla të ndryshme. Po të llogarisim një mesatare prej pesë temash diplome me nga 350 faqe secila, çdo faqe e lexuar të paktën dy herë, para dhe pas korigjimeve, me një mesatare prej tre minutash për faqe, mbërrij tek 175 orët. Sa për detyrat e kursit, meqenëse një pjesë të mirë i shohin bashkëpunëtorët e mi, po llogaris vetëm katër për çdo sezon provimesh, nga tridhjetë faqe secila, pesë minuta për faqe për ta lexuar e dikutuar paraprakisht dhe ja ku u bënë 60 orë. Pa llogaritur kërkimin, bëhen, në total, 1465 orë.

Drejtoj një revistë semiotike, VS, me tre numra në vit, në total 300 faqe në vit. Pa vënë në kandar dorëshkrimet e lexuara dhe të lëna jashtë, duke i kushtuar dhjetë minuta çdo faqeje (vlerësim, korigjim, boca) ja ku kemi dhe 50 orë. Merrem me të gjitha kolanat që lidhen më interesat e mia shkencore. Të llogarisim nga gjashtë libra në vit, 1800 faqe, nga dhjetë minuta për faqe, janë 300 orë. Nga tekstet e mia të përkthyera, ese, artikuj, libra, kumtesa në kongrese, po të marr parasysh vetëm gjuhët që mund t’i kontrolloj, bëhen rreth 1500 faqe në vit, nga njëzet minuta për faqe (lexim, kontroll i origjinalit, diskutim me përkthyesin, gojarisht, me telefon a me letër) dhe ja ku u bënë 500 orë. Pastaj kemi dhe shkrimet origjinale. Edhe po të mos shkruaj ndonjë libër, bëhen pa frikë 300 faqe edhe vetëm me ese, kumtesa nëpër kongrese, shënime për leksionet etj. Të llogarisim të menduarit, mbajtja e shënimeve, shtypja, korigjimi më merr, të themi, nga një orë për faqe dhe u bënë 300 orë. “La Bustina di Minerva” (rubrika që Eco mbante në shtyp), po ta shohësh me optimizëm, më merr gati tre orë sa të gjej temën, të mbaj ndonjë shënim, të shoh ndonjë libër tjetër, ta shkruaj, ta përshtas me formatin e kërkuar, ta nis ose ta diktoj. E shumëzojmë këtë me 52 javë dhe bëhen 156 orë (nuk po llogarisim artikuj të tjerë). Së fundi, posta të cilë si kushtoj tre paradite në javë nga nënta në një, pa ja dalë ta bluaj të gjithën, më merr 624 orë.

Kam llogaritur së në vitin 1987, duke pranuar vetëm dhjetë për qind të propozimeve dhe duke u kufizuar vetëm në kongreset thjeshtë të disiplinës, në paraqitjet e punimeve të mia a të bashkëpunëtorëve të mi, në pranitë e pashmangshme (ceremoni akademike, mbledhje në ministritë kompetente) janë mbushur plot 372 orë prani fizike (pa llogaritur orët e vdekura). Meqenëse një pjesë e mirë e tyre ishin jashtë, kam llogaritur 323 orë për zhvendosjet. Kjo llogaritje ka marrë parasysh se një udhëtim Milano-Romë të merr katër orë nga taksia për në aeroport, pritja, ushëtimi, taksia në Romë, sistemimi në hotel dhe zhvendosja në vendin e mbledhjes. Një udhëtim në New York bën 12 orë.

Në total janë 8084 orë. Po t’i heqim nga 8760 orët e një viti, mbetja është 666 orë, pra, një orë e dyzet e nëntë minuta në ditë që unë ja kam kushtuar: seksit, takimeve me miqtë dhe familjarët, funeraleve, kurave mjeksore, blerjeve, sportit e spektakleve. Siç mund të vërehet, nuk kam llogaritur kohën e leximit të materialeve të shkruara (libra, artikuj, fumetë). Ta pranojmë se e kam bërë gjatë zhvendosjeve, gjatë 323 orëshit, nga pesë minuta për faqe (lexim i thjeshtë dhe nënvijëzime) kam pasur mundësinë të lexoj 3876 faqe që i përgjigjen 12,92 librave nga 300 faqe secili. Po duhani? Me gjashtëdhjetë cigare në ditë, nga gjysmë minuti për të kërkuar paketën, ndezur e fikur cigaren, a nuk bëjnë 182 orë? Jo, nuk bëjnë.
Duhet ta lë duhanin.

përktheu: Dhurata Shehri