bukur ose hiç

shkrime

Ska si Doktori – Edison Ypi

30.09.2017 | h. 14:55

Duke zbritur shkallët të përshëndet hipokrizisht një llapaqen që ka qënë spiun. Te dyqani ku do blesh diçka të pret një shitës hileqar. Pas pak do kesh punë me një nëpunës të korruptuar. Pak më tutje takon një të mërzitshëm që prej vitesh bën të njëjtat muhabete. Epo i ziu njeri që nuk është aq budalla sa komshiut t’ja rrasi me grusht surratit, dyqanxhiut t’ja përplas kokën pas murit, ryshfetçiun ta vrasi, diçka duhet të bëjë, në ndonjë mënyrë duhet të reagojë, një zgjidhje duhet ta gjejë. Për të mbijetuar në xhunglën shtazarake ikën tek i vetmi njeri serioz që ka mbetur në këtë vend, te Doktori. Por nuk shpëton dot me kaq. Humoristët që qeshin me fjalët e veta, gazetarët që botojnë me vite të njëjtin shkrim, personazhet televizivë që nuk e bëjnë ata të shikueshëm televizionin por i bën të famshëm televizioni, janë edhe ata gjeneratorë dëshpërimi. Mes kësaj zallamahie, për të evituar çmendurinë, merr një paracetamol, që edhe kjo vajtje te Doktori është. Shpejt ndjen dhe kupton se as këtu nuk mbaron kalvari. Gjithandej meshkuj snoba, femra vanitoze, kushurinj e kushurira copa mishi. Janë aq të shumtë, neveria prej tyre është aq e madhe. E pamundur që sapo ndahesh nga secili prej tyre të mos shkosh me vrap te Doktori. Ka edhe më. Filani apo filanja po u afrohen të tridhjetave, kanë me qindra dhe me mijëra miq e mikesha virtualë, por ai nuk ka prekur kurrë femër me dorë, dhe ajo nuk është puthur kurrë nga ndonjë mashkull. Kur mendon këtë platonizëm katastrofik të të rinjve që drithërimat reale sentimentale i kan mbyll me dry dhe drynin e kan hudh në det, për të qetësuar zemrën dhe gjunjët që dridhen, s’ke ku e përplas kokën veçse te Doktori. Ndoshta s’ke asnjë problem dhe s’të lypset asnjë Doktor. Kur kjo ndodh, nga qefi ja fut me raki, bëhesh dru, ikën rrugës, përplasesh me një shtyllë, rrëzohesh, vijnë të ngrenë, dhe të çojnë me barrelë, e ku tjetër veçse te Doktori. Nuk shtyhet jeta pa Doktor. Në vendin që sa më shumë vidhet aq më tepër pasurohet, sa më tepër tmerre ndodhin aq më i dashur bëhet, ska si Doktori.