bukur ose hiç

intervista

Intervistë ekskluzive me poetin arbëresh Mario Calivà

02.10.2017 | h. 08:10

Çfarë është për ju poezia?

Poezia vërteton esencën e vërtetë të gjërave.
Në momentin e frymëzimit poeti ka mundësinë të zgjoj zemrën e fshehur dhe konturën e mekanizmave të zanafillës, që mbanë në këmbë atomet nga prej të cilëve burojnë energjitë e nevojshme e në mënyrë të atillë bëjnë që elektronet të vërtiten në orbitat e lejuara rreth bërthamës.
Poezia është shfrehje, poezia është dhembje.
Poezia është të kthehesh papritur e të vëresh bukurinë e Hënës që popullon qiellin së bashku me yjet.

 

Si është të shkruani në gjuhën arbërore, duke jetuar në një vend ku një gjuhë tjetër flitet, është zyrtare?

Të shkruash dhe të flasësh një gjuhë ndryshe nga ajo italiane me siguri që ndez kuriozitetin e të shumtëve. Aty edhe shumë njerëz që vijnë në Piana për herë të parë, konfirmojnë që ndihen sikur ndodhen jashtë shtetit, sepse ne vendasit jemi mësuar të flasim në arbërisht.

Për mua të flas në arbërisht është një detyrë, sepse identiteti ynë trasmetohet mbi të gjitha nëpërmjet gjuhës në bazë të së cilës themelohet dialogu mes pjestarëve të komunitetit tonë.

 

Përballja me dy gjuhët e ndihmon artin, zgjeron lirinë e të shkruarit?

Të shkruash poezi në dy gjuhë të bën të kuptosh se si arti, në këtë rast poetika, arrin të shfaqet në forma të ndryshme. Sigurisht që dygjuhësimi hap horizonte të reja dhe në këtë mënyrë të jepet mundësia të dëgjosh mendimet e tua njëkohësisht në dy gjuhë të ndryshme dhe ky është një privilegj.

 

Arbëreshët ndjehen në shtëpinë e vet në Itali, apo malli për Arbërinë (Shqipërinë) vazhdon?

Po, ne jetojmë në Itali por dashuria për Mëmëdhenë Shqipëri mbetet. Falë kësaj dashurie është bërë e mundur të ruajmë gjuhën tonë për më shumë se pesëqind e njëzet vjet.
Të humbasësh gjuhën është e barazvlefshme me të humbasësh vetveten, sepse gjuha mban gjallë identitetin tonë, dhe po nëpërmjet gjuhës themelohet dialogu mes pjestarëve të një komuniteti.

 

Si mbahet gjallë gjuha arbërore te komuniteti arbëresh?

Në “Fushën e Shqipëtarëve” (Piana degli Albanesi) në ishullin e Sicilisë, gjuha mbahet gjallë falë mekanizmit të mbrojtjes, nga kush është realisht i interesuar për mbrojtjen e identitetit tonë. Unë jam dramaturg dhe kam shkruar dhjetra vepra teatrale në gjuhën arbëreshe. Nëpërmjet punës që paraprinë spektaklin ose më mirë laboratorin teatral, aktori ka mundësinë të mësoj terma tanimë jo në përdorim. Kjo ndodh për faktin se ka mundësinë ti mësoj në kopjen e tekstit të shkruar po në këtë gjuhë. Por nuk përfundon me kaq sepse edhe spektatori, duke dëgjuar aktorin, ka rastin të dëgjoj muzikalitetin tingujt e gjuhës, kështuqë në eventin teatral i gjithë komuniteti gjendet protagonst si nga njëra dhe tjetra anë e skenës. E nevojshme është gjithsesi që të ketë një përdorim social dhe kulturor të veçorive tona kulturore sepse vetëm në këtë mënyrë ato do të mund të mbahen gjallë.

Këto ditë kemi nisur një laborator të ri teatral për të sjell në skenë Komedinë e shkruar nga unë “Tuke pritur udhëtarin qëroit” (“Duke pritur udhëtarin e kohës”) dhe dramën time “Rrëmbyesi”. Nëse çdo gjë do të na shkoj mbarë do t’i sjellim në skenë në muajin dhjetor të këtij fundviti.