bukur ose hiç

lajme

Mesazhi i padërguar në telefon pranohet si testament

13.10.2017 | h. 11:11

Një gjykatë në Australi ka pranuar një mesazh të padërguar në telefonin e një të vdekuri, si testament zyrtar.

55-vjeçari kishte shkruar një mesazh në të cilin i ishte adresuar vëllait duke thënë se “do t’i lë gjithçka që kam ty dhe nipërve”.

Mesazhi u gjet tek mesazhet e padërguara (drafts) në telefonin e personit, një vit pas vdekjes së tij.

Gjykata Supreme e Brisbanet vendosi që shkrimi i tekstit ishte pikërisht në përshtatje me atë që dëshironte i ndjeri.

Në mesazh, burri kishte dhënë detaje për fëmijët se si t’i qaseshin llogarisë së tij bankare dhe ku kishte fshehur paratë në shtëpi. “Vendosni hirin tim në kopshtin prapa”, kishte shkruar ai. “Ka pak para prapa TV-së dhe pak në bankë”.

Sipas ABC News, gruaja e këtij burri kishte apeluar që të menaxhonte gjithçka që kishte lënë burri duke thënë se teksti nuk ishte i vlefshëm si testament sepse nuk ishte dërguar kurrë.

Gjyqtarja Susan Brown deklaroi se mesazhi, që përfundoi me fjalët “Testamenti im”, dëshmon se ky mesazh ishte testament.