bukur ose hiç

shkrime

Zemër, pusho – Mit’hat Frashëri

15.10.2017 | h. 10:07

Pusho, zemër, mos u qa! Mos më thuaj vuajtjet e tua, mos qa dhimbjet dhe hidhërimet!
Rri dhe duro. Hiq në pushim çdo të keqe.
Pse të qahesh? Kur e ke druajtur vuajtjen, kur je hequr prej hidhërimit? A e ke ndjekur kurrë fatin e bardhë, a e ke dashur kurrë gazin dhe zbavitjen?
Të kan’ ardhur shumë herë pranë të mirat. Jetën munt që ta bëjnë t’ëmbël dhe të qetë si një burim t’ëmbël, si një vijë të kthjelltë.
Po, jo! Qetësisë, gazit dhe fatit, u ke rënë me këmbë. Ke kërkuar gjithnjë të paqenën, të paditurën. Ata që ke pasur pranë i ke shtytur, u je mërguar. Kurdoherë ke kërkuar një gjë më tutje; ke ndjekur atë të paqenën, të padukurën.
Se ashtu që ylli është bërë për të çkëlqyer, dielli për të ndritur, trëndafili për erë, zogu për këngë, zjarri që të djegë, edhe ti, o zemër, ke lindur për të vuajtur.