bukur ose hiç

shkrime

Nga Tespia te Tepsia – Edison Ypi

17.10.2017 | h. 09:43

I pari shqiptar që nisi të numurojë mendueshëm tespiet, qè Skënderbeu. Duke vërvitur shpatën dhe rrotulluar tespiet, i madhi Skënderbe provoi ta bënte Shqipërinë Mbretëri. Nuk mundi. Pas vdekjes së tij gjithçka u zhbë. La pas një eksod nga më të mëdhenjtë dhe më të trishtët, hordhira çallmash, dhe tespiet, të cilat ja kishte dhuruar në Stamboll një Dervish turk që kishte qënë disa vjen në fshatrat e Skraparit si përhapës i Bektashizmit, bashkë me porosinë; Me idetë që mësohen nëpër libra në Shqipëri mund të bëhen punët, ndërsa me idetë që vijnë në mendje kur rrotullon tespie, shqiptarët qeverisen.
Pas Skënderbeut tespiet shqiptare i mori ndër duar Sulltani, i cili, Shqipërinë nga Zonjë e katandisi hyzmeqarkë. Sulltani e bëri Shqipërinë një “peqe-lepe” të turpshme, së cilës pasi i xhvati Lirinë dhe i imponoi Besimin, i fali prapambetjen shekullore.
Ali Pasha, gjakatari me tespie dhe nargjile, Shqipërinë, apo një pjesë të saj, e bëri si e deshte, principatë kaçakësh, ku vetë Pashai ishte i pari vjedhës-vrasës. Diplomacia e tij folklorike prej vrasësi lokal, banal, të pashpirt, qesharak, është stisje.
Ismail Qemali, diplomat perandorak i klasit të parë me grua greke, të cilit pak ja ninte për Islam e Kuran dhe tespiet i rrotullonte e i numuronte me virtuozitet të pashoq, ju nis ta bënte Shqipërinë Shtet modern. Ide gjeniale. Por hesapet i bëri gabim. Shqipëria turkoshake Shtetin e Ismail Beut e mbyti në djep.
Princ Vidi, i vetmi që pa rrotulluar nëpër duar tespie, u nis ta bënte Shqipërinë Gjermani, Austri, Zvicër. Nuk ja arriti qëllimit të lartë. Çallmat e bënë synet.
Esat Pashë Toptani, vizionari që vazhdimisht rrotullonte tespie dhe pinte lëng shege, u përpoq ta bënte Shqipërinë të ndërmjetme, perëndimore nga jashtë, turçelie nga brenda. Nuk e kuptuan. Paguan një komunist vrasës ta paloste në Paris.
Fan Noli, që për tespie solli një fyell nga Amerika, provoi ta bënte Shqipërinë mesjetare shtet të sofistikuar me magjistrica profetike, hezitime hamletiane. Gjenialit Noli që i binte fyellit në orët e pasditës te selviet e Namasgjasë, Shqipërinë artistike ja vranë që në ngjizje.
Ahmet Zogu dëshiroi dhe arriti ta bëjë Shqipërinë si e pat nisur Skënderbeu dhe si shqiptarëve u shkonte për shtat, pa tespie, pa femra të mbuluara, Mbretëri liberale, me administratë moderne, me hoxhallarë dhe priftërinj secili në hesap të vet. Gjeniu i Matit nuk bëri asnjë gabim. Rrethanat ndërkombëtare nuk mundësuan që Mbretëria të mbijetonte.
Italia fashiste, e cila tespie kishte rrotat e topave, e bëri Shqipërinë ëndërr imperiale, koloni. Si çdo kolonizator, bëri ca punë, dhe u kthye nga erdhi, si krokodili.
Kurvi me tespie prangat, e bëri Shqipërinë burg dhe kasaphanë që u finalizua me llaftarën e eksodit biblik. Doktori ju nis ta bënte Shqipërinë demokraci perëndimore si e kishte lexuar nëpër libra. Pa tespie. Pa hezitime. Pa ëndërra. Pa rrena. Me pasion. Me atdhedashuri idealistike. Por shpejt kuptoi se për ta bërë realitet këtë ëndërr, votat e antikomunistave nuk mjaftonin.Të liruarit nga burgjet, internimet, dhe në përgjithësi të vuajturit, nuk përbënin shumicën e shqiptarëve, por një pakicë të spiunuar dhe përdhunuar në mënyrë të vullnetëshme nga shumica dërrmuese. Zbulimi tronditës u shoqërua nga një dukuri tjetër tmerruese; Pakica e stërvuajtur dhe e çorientuar, me tu çliruar, vrerin e akumuluar gjatë dhjetra viteve, nisi ta villte kundër Partisë Demokratike dhe vetë Doktorit, i cili, në këto rrethana u gjend para një belaje të pamerituar. Megjithatë Doktori e kapi fillin. Kuptoi se problemi paradoksal kërkonte zgjidhje paradoksale, pra lypte tespie. Bëri bashkë ku ishin e ku s’ishin, kuçët, maçët, hajdutët, spiunët, oportunistët, pragmatistët, aventurierët. Duke mbajtur ndezur zjarrin e fanatizmit të kësaj hordhie me favore materiale, Doktori u prish deridiku me bërthamën e idealizmit, qëndrestarët e vërtetë. Ashtu ja mori mendja, ashtu bëri. Falë talentit gjenial, energjisë së pashterrshme, sidomos karizmës së tij, gërdeci piramidal elektoral me spiuna dhe hajduta, funksionoi. Shqipëria u mëkëmb. Ekonomia u ndreq. Autostrada u ndërtuan. NATO na pranoi. Shqiptarët nisën të udhëtojnë pa viza. Pas ca kohësh shteti i Doktorit me vota të çfardoshme dhe bërthamë të paqëndrueshme, u shemb. Nuk mund të mos ndodhte. Edhe Dielli fiket një ditë. Pasardhësin e Doktorit të cilit i duhet të përballi sfidën titanike të gjetjes së një zgjidhjeje tjetër paradoksale dhe funksionuese ndaj problemit paradoksal numerik të sipërpërmendur, me ose pa tespie, me ose pa spiuna dhe hajduta, Zoti e ruajt.
Provoi dhe Sorosi ta bënte Shqipërinë diçka. Vend plot me zyra sterile prej mermeri dhe qelqi, laptopa që i mbajnë hedhur në sup ca legena që mbahen për të qytetëruar dhe paguhen me euro për të vrarë miza. Shqipëria e Sorosit doli kreatura më bastarde që ka parë historia, një hordhi me rrugaçë dhe baxhella.
Edi Rama i është nisur ta bëjë Shqipërinë pa tespi, “pa zemër, pa ndjenja, fjalët e tij rrufena”, pra në stil niçean, migjenian, si supermen, si superstar. Edi Rama nuk i ka votat e pakicës së persekutuar, falë vuajtjeve të së cilës sot persekutorët shqiptarë kanë nga dhjetë biznese, tre shtëpi, katër Toyota, pesë Benza. Ka votat e shumicës dërrmuese. Nuk merakoset. Dallime të tilla demokracia nuk i përfill. Edi Rama do ta bëjë Shqipërinë diçka të pangjajshme me përvojat e shkuara. Sofër ku rruazat e tespies janë zëvendësuar nga llokmat e tepsisë. Sistem ekonomik dhe social njëkohësisht mbretëri, demokraci, diktaturë, stadium, diskotekë, plazh, supermarket, makineri ku hyn derr e del sallam, Shtet me gjithçka në vendin e vet, ideologjitë nëpër libra, keqbërësat në burg, nëpunësat në zyra, hoxhallarët në xhami, priftërinjtë në kishë. Zoti e ndihmoftë.