bukur ose hiç

shkrime

Dekorime – Edison Ypi

24.10.2017 | h. 10:00

Me mbi 30 tonelata kanabis të dërguara në Europë, që i bie qindra mijëra europianë të dëshpëruar, jetë të shkatërruara, karriera të këputura, familje të shpartalluara, fisi Habilaj e meriton medaljen “Xhinsi Vdekja”. Medalja në fjalë do jetë e derdhur në flori në formën e një shkabe krahëhapur në fluturim që mban me sqep një qingj të vogël të bardhë. Kjo medalje tmerri do ti dorëzohet fisit pas pak kur drejtësia shqiptare në një ceremoni të organizuar enkas do ta çfajsojë fisin për mungesë provash, do kërkojë falje për tërë këto telashe që u nxorri, do akordojë shpërblimin përkatës që do ta paguajnë taksapaguesit.
Për kontribut të shquar në spjegimin dhe çvleftësimin e paradoksit “Edhe e shes edhe e kam”, si dhe cilësimin “kushuri i dhjetë” për dikë që i bie të jetë rus ose kinez por e ka farefis, Saimir Tahirit do ti akordohet titulli i lartë “Flamurtar i Rrenës Sovjetike Staliniste Komsomolase”.
Unë dhe jo pak budallenj të tjerë si puna ime, votuam dhe respektuam Partinë Demokratike për vite e vite të tëra. Pa ju afruar aspak partisë në fjalë për ti kërkuar ndonjë favor, besuam dhe shpresuam tek deputetët dhe ministrat e saj si besimtarët te Bibla dhe Kurani duke qënë absolutisht të bindur se besimin tonë po e përdornin për të mirën e Shqipërisë. Mirpo doli se ata hajdutë për shkak të të cilëve Partia Demokratike humbi zgjedhjet dhe u fundos në pus, durimin dhe respektin tonë e paskan shpërdoruar katastrofikisht. Ata ndyrësira paskan qeshur e qënkan tallur me njëritjetrin hihihi e huhuhu për naivitetin tonë. Për këtë kryevepër të shpërdorimit të besimit, të gjithë ata në grup e meritojnë plotësisht dekoratën “Banditët e Shekullit”. Me kusht që telin e ndryshkur të kësaj dekorate që do mbajnë në gjoks, ta ngulin në mish, mishi tu infektohet, infeksioni tua mbulojë trupin me plagë të lemeritshme, fill pas marrjes së dekoratës të ngordhin një nga një si pulat nga zgjebja.
Ermal Mamaqi, ky injorant shejtanbudalla pa asnjë vlerë edukative, njerëzore, qytetare, do marri titullin “Muti Mediatik”. Motivacioni do jetë “për punë të palodhur në shkatërrimin e finesës dhe elegancës së shijeve të publikut, shpërdorimin e lodhjes së të parëve të cilët për edukimin e popullit vetëm jepnin, ndërsa muti në fjalë vetëm merr, vetëm xhvat.
Zagarët politikë që cilësojnë komunist cilindo president apo ambasador të Shteteve të Bashkuara për hiçgjë, spiunat, rrugaçët, injorantët, bastardat, që flasin keq për më të shquarit e Historisë tonë, tuhafët që vazhdojnë të dalin në fotografi me të ngrëna përpara, sedentarët që nuk udhëtojnë ta shohin dhe ndjejnë Shqipërinë nga afër por preferojnë të shtriqen në divan para televizorit, të gjithë këta do nderohen me dhënien e një dekorate të posaçme që quhet Damkë. Damka do jetë një vule metalike e madhe sa një kokërr shegë e skuqur në zjarr që budallenjve të sipërpërmendur do tu shtypet në ballë thellë në mish. Brenda rrethit të Damkës do jetë shkruar me gërma të mëdha “Budalla me Brirë”.
Titulli “Nekrofilja e Shekullit” do ti akordohet Flutura Açkës. Motivacioni do jetë; Për vigjilencë të lartë dhe përkujdesje të vazhdueshme rreth fatit të kufomave artistike. Për shembull, për fatin e salmës së Robert Elsit që me kërkesën e Açkës e varrosën përbri kishës së Thethit. Siç u muar vesh, dishepujt e Krishtit, për arësyet që i dinë vetë, kufomën në fjalë do ta çvarrosin prej atje për ta rivarrosur s’dihet se ku, derisa pas një numuri varrosjesh dhe çvarrosjesh si të Nako Spirut, salma e Elsit do dekompozohet dhe nekrofilia qurravece autoreferenciale e Açkës do harrohet.
Çim Peka ka dy zgjedhje; E para, të pranojë se faji që Partia Demokratike humbi ishte i Syrit të Çimit. E dyta, e kundërt me të parën, po të mos kishte qënë ndihmesa e Pekës së Syrit Partia Demokratike do kishte marrë qimen e Noc Rrokut. Për këtë rol me diapazon interpretimi kaq të gjërë, Çimi dhe Syri i Çimit do marrin medaljen “Syri dhe Partia e Çimit” me motivacion; Për punë të palodhur në lëvrimin me sukses të mënyrave të humbjes me çdo kusht, në çdo rrethanë, pa zënë ment dhe pa mbajtur përgjegjësi.
Ambasadori Lu do marri medaljen “Hero i Durimit” për ndihmesën e pakursyer që po jep në përhapjen ndër shqiptarë të disiplinës së punës kapitalistike përmes dhënien së shembullit personal sa i përket zbatimit të principit “jo tetë orë në punë, por tetë orë punë”.
Edi Rama do marri dekoratën “Rrethi” për përdorim virtuoz të vijës së barazlarguar ndaj një pike, posaçërisht timonit, në mënyra nga më të ndryshmet, si tepsi, orë, busull, rrotë. Medaljen e merituar Ramës do ja dorëzojë Presidenti i Republikës Hirësia e Tij Abas Aliu, alias Ilir Meta, te Pallati i Brigadave mes duartrokitjeve frenetike të të ftuarve nga të gjitha forcat politike.
Me thyerjen e të gjitha rekordeve të shikueshmërisë dhe pëlqimit të publikut, Elisa Spiropali do marri medaljen “Madam Simpatia”.
Sot; Doktori, Argita, Shkëlzeni, Flamuri. Nesër në një rreshtim tjetër të të njëjtëve emra; Shkëlzeni, Flamuri, Argita, Doktori. Pasnesër në një rreshtim tjetër…e kështu me rradhë çdo ditë, Mero Bazja do marri titullin e stërmerituar “Për përdorim mjeshtëror të permuracioneve” në trajtimin me mënyra të ndryshme të të njëjtit argument çdo ditë dhjetë vjetë rrjesht.
Popullit shqiptar, rakipirës, mishngrënës, kockalëpirës, që prej shekujsh po bën të pamundurën për ta mbajtur Shqipërinë sa më të vogël, sa më të rrëmujshme, sa më të rrezikshme, për merita të pamohueshme në zhbërjen e vetvetes deri në asgjësimim total pa nam e nishan, do ti jepet titulli “Popull derdimen”.